Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Hashim Thaçi ka dorëzuar dosjen paraprake në çështjen në të cilën së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas dosjes së dorëzuar nga avokatja Sophie Menegon, ata thonë se ky rast është përpjekje e Prokurorisë për të ndikuar në rezultatin e rastit të Hashim Thaçit i cili së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas mbrojtjes, kjo po ndodhë duke e ngarkuar Thaçin dhe ekipin e tij mbrojtës me procedura paralele e po ashtu edhe duke krijuar faktorë paragjykues qw mund të ndikojnë në rezultatin e rastit për krime lufte.
Përveç kësaj, mbrojtja e Thaçit thotë se ky rast është i motivuar nga dëshira për të justifikuar masat e tepruara hetimore të Prokurorisë në vitin 2023 të bazuara në akuza të cilat shumica nuk qëndrojnë.
“ZPS ka folur vazhdimisht për këtë rast si një çështje që përfshin “ndërhyrje ndaj dëshmitarëve”,³ përfshirë edhe në deklaratat e saj të fundit publike. Kjo jo vetëm që rrezikon prezumimin e pafajësisë së z. Thaçi, por edhe shtrembëron akuzat”, thuhet në dosje.
Përveç kësaj, mbrojtja thotë se Thaçi nuk është ngarkuar me veprën “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” cila parashihet me nenin 386 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës kur një person përdor detyrim ose ryshfet me qëllim që të nxisë dëshmi të rreme ose të parandalojë apo vonojë sigurimin e provave.
Mbrojtja thotë se edhe vetë Prokuroria e pranon se një akuzë e tillë nuk do ishte konfirmuar kurrë dhe për të justifikuar masat e saj ndërhyrëse, e bindi gjyqtaren e procedurës paraprake se duhej gjetur një akuzë tjetër serioze.
Sipas mbrojtjes, për rrjedhojë, Thaçi akuzohet për “pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Mbrojtja thotë se kjo vepër kurrë nuk është përdorur në Kosovë në kontekstin e pretendimeve për “ndërhyrje ndaj dëshmitarëve”, dhe elementet e saj të sakta, siç janë aplikuar nga gjykatat e Kosovës, nuk kanë asnjë lidhje me pretendimet faktike të ZPS-së në këtë rast.
Në anën tjetër, Mbrojtja thotë se barra e provës së akuzave i takon Prokurorisë, por ata thonë se kjo e fundit po vazhdon të zbulojë prova edhe pas dorëzimit të dosjes së saj paraprake.
Në rrjedhjen e parashtrimeve të veta, Menegon thotë se mbrojtja e Thaçit është penguar në përgatitjen e saj në rastin për krime lufte e po ashtu edhe nga kufizimet e konsiderueshme në hetimin e mbrojtjes që ndikojnë posaçërisht tek Thaçi, raportoi Betimi për Drejtësi.
Ndërsa, duke folur për rastin kundër administrimit të drejtësisë, Menegon thotë se është dëmtuar që nga fillimi nga sërë defektesh procedurale.
“ZPS duket se është fokusuar në sigurimin e sa më shumë dhe sa më serioze dënimeve kundër z. Thaçi, pa marrë parasysh drejtësinë e procesit apo përputhjen e tij me ligjin përkatës”, thuhet në dosjen paraprake të Thaçit.
Sipas mbrojtjes, aktakuza në këtë rast u konfirmua nga trupi gjykues në përbërje në mënyrë të paligjshme duke u injoruar dispozitat ligjore të DhSK-së në lidhje me ndarjen e përgjegjësive gjyqësore dhe caktimin e gjyqtarëve.
Menegon thotë se vetë themeli i rastit është i pavlefshëm.
“Pasoja më e rëndësishme e kësaj ka qenë se Aktakuza është lëshuar nga një gjykatë e përbërë në kundërshtim me ligjin, duke e bërë atë të pavlefshme. Si rrjedhojë, vetë themeli i rastit është i pavlefshëm”, thuhet në dosje.
Sipas mbrojtjes së Thaçit, ky rast kishte mundur të zhvillohet pas përfundimit të rastit për krime lufte dhe se Prokuroria nuk ka dhënë asnjë shpjegim se pse dëshiron që të shkojë paralelisht me këtë rast edhe me rastin për krime lufte.
Mbrojtja thotë se zhvillimi i dy gjykimeve njëkohësisht dhe të ndërlidhura është i paprecedent në të drejtën ndërkombëtare penale dhe krijon parregullsi procedurale.
Po ashtu, në dosje thuhet se zhvillimi paralel i rasteve po e cenon të drejtën e Thaçit për të marrë pjesë aktive në mbrojtjen e tij, po i vendos barriera të pajustifikueshme ekipit mbrojtës duke e penguar edhe përgatitjen e tyre.
Përveç kësaj, këto procedura sipas mbrojtjes kanë sjellë edhe dy kushte të ndryshme të paraburgimit, me kufizime të ndryshme për personat që mund ta vizitojnë duke sjellë edhe kontradikta.
Po ashtu, thuhet se Thaçi dhe ekipi i tij mbrojtës i nënshtrohen dy kornizave të kundërta për kontaktimin e dëshmitarëve si dhe tashmë i akuzuari i nënshtrohet rregullave të ndryshme nga ato që zbatohen për ZPS-në dhe bashkë të akuzuarit.
Këto anomali procedurale, sipas mbrojtjes mund të shmangen nëse dy procedurat zhvillohen njëra pas tjetrës.
Në anën tjetër, mbrojta e Thaçit e përfaqësuar nga Sophie Menegon thotë se akuzat për pengim ndaj Thaçit janë të mangëta sepse dështojnë të identifikojnë faktet thelbësore për rastin e Prokurorisë e që Prokuroria s’i ka korrigjuar as në dosjen paraprake.
Mbrojtja thotë se ZPS akuzon Thaçin se ka tentuar të pengojë personat zyrtarë, përmes veprimit të përbashkët të tre grupeve. Megjithatë, sipas mbrojtjes, ajo kurrë nuk ka specifikuar se cilët persona zyrtarë pretendohet se kanë qenë objektivi i këtij pengimi të supozuar.
Menegon e quan të habitshme që rasti i Prokurorisë mbështetet pothuajse në dokumente dhe jo në prova gojore.
Mbrojtja thotë se kundërshton tërësisht akuzat ndaj Thaçit dhe çështjet në të cilat mbështetet Prokuroria, nuk mund të provohen. Si rrjedhojë, mbrojtja thotë që pret që Prokuroria të mos arrijë ta përmbushë barrën e saj të provës.
Duke folur për çështjet faktike, mbrojtja thotë se ZPS-ja nuk demonstron përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se dokumentet e marra gjatë kërkimeve dhe sekuestrimeve kanë origjinën nga Thaçi.
Sipas mbrojtjes, mungesat faktike në rastin e ZPS-së duket se lidhen me keqkuptim të natyrës së veprave penale të KPRK-së që përbëjnë bazën e akuzave.
“Mbrojtja parashikon që ZPS-ja do të kërkojë të mbështetet në vendime nga Çështja 07 dhe Çështja 10 për të mbështetur interpretimet e saj të këtyre veprave sipas KPK-së. Megjithatë, z. Thaçi nuk ishte palë në ato çështje. Ai nuk kishte asnjë mundësi të argumentonte për interpretimin e saktë të së drejtës penale të Kosovës dhe nuk mund të mbahet përgjegjës për dështimin e të akuzuarve të tjerë për ta bërë këtë. Mbrojtja do të kërkojë një interpretim të saktë të veprave të KPK-së që respekton jurisprudencën dhe praktikën vendore të Kosovës. Siç është treguar më sipër (shih paragrafin 21), këtë e kërkon parimi i ligjshmërisë. Kjo Gjykatë nuk mund të lejohet të dënojë një të akuzuar sipas KPK-së për një sjellje që nuk do të përbënte bazë për dënim në një gjykatë “normale” të Kosovës”, thuhet në dosje.
Si rrjedhojë, mbrojtja thotë në përfundim se rasti i Prokurorisë mbështetet në pretendime të gabuara faktike dhe në interpretim të gabuar të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Dosja paraprake nga mbrojtja e Thaçit u dorëzua me 20 tetor por ajo u bë publike me redaktimet përkatëse me 23 tetor 2025.
