Në konferencën e 13-të për ecurinë e çështjes në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, mbrojtja e Veselit ka thënë se prokuroria po bën përpjekje të vë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para gjyqit, ndërkaq prokuroria e ka mohuar këtë.
Pas një pushimi, konferenca vazhdoi me diskutimin rreth racionalizimin të çështjes, ku prokurorja Claire Lawson ka thënë se nuk po përpiqen të zvogëlojnë çështjen, por mënyrën e dëshmive.
Avokati Ben Emmerson, që mbron Veselin tha se kjo është përpjekje që UÇK të vihet para gjyqit dhe prokuroria thotë që nuk është kundër UÇK-së gjykimi ,por disa anëtarëve të saj.
“Nëse është e vërtetë s’duhet të ketë kundërshtim të hiqen vendndodhjen e krimeve”, tha ai tutje.
Prokurorja tha se mbrojtja ka bërë këto parashtrime edhe më parë dhe janë çorientuese pasi nuk kanë ndonjë përpjekje për të paraqitur në gjyq UÇK-në.
Kurse, Kehoe tha se parashtrimi që bëri prokuroria nuk është i drejtë dhe paragrafët e akuzës përfshijnë praktikisht gjithë anëtarët e UÇK-së.
“Ftoj të shihet paragrafi 35 i aktakuzës dhe kush është lënë jashtë saj prej UÇK-së”, tha Kehoe.
Ndërkaq, prokuroria tha se ftojnë të lexohet paragrafi 35 i aktakuzës në kontest të juridiksionit të DhSK-së dhe se mbrojtja po keqparaqet fakte.
Prokurorja Lawson ka deklaruar se siç e kanë thënë në parashtrimet e tyre janë të gatshëm të vinë në gjykatore çdo ditë kur të filloj gjykimi, megjithatë mund të ketë përshtatje të orareve sipas nevojave dhe se çdo kalendar i tillë nuk duhet të pengoj apo zgjas ardhjen e një dëshmitari apo qëndrimin më gjatë të një dëshmitari.
Emmerson ka thënë se në dokumentin e dorëzimit të çështjes dëshiron të futet se pse ka konsensus nga ana e mbrojtjes që duhet të bëhet në blloqe të caktuara dhe asnjëherë të mos ndërpritet dëshmia e një dëshmitari në mes.
Më pas u kalua në seancë private e pas kthimit në seancë publike gjykatësi urdhëroi ZPS-në që të dorëzojë një listë dëshmitarësh që përditëson mënyrën e marrjes në pyetje dhe paraqitjen e kohës për secilin dëshmitar deri me 2 shtator 2022 dhe që të plotësoj njoftimin sipas rregullës 102 (3) deri me 7 tetor 2022.