Mburoja në Çernobil kundër rrezatimit humb funksionin pas sulmit me dron

Mburoja në Çernobil kundër rrezatimit humb funksionin pas sulmit me dron

Një mburojë përmbi reaktorin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë nuk mund të kryejë më funksionin e saj kryesor pas një sulmi me dron që është regjistruar më herët gjatë këtij viti, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.

Inspektorët kanë gjetur që struktura masive, e vendosur mbi reaktor pas katastrofës së vitit 1986 e ka humbur funksionin primar, përfshirë “aftësinë e izolimit”.

Në shkurt, Ukraina e ka akuzuar Rusinë se e ka shënjestruar centralin – pretendim që Kremlini e ka hedhur poshtë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore – agjenci e Kombeve të Bashkuara – ka thënë se riparimet janë “thelbësore” për të “parandaluar degradimin e mëtejmë” të strehës.

Megjithatë, eksperti i ambientit, Jim Smith, ka thënë për transmetuesin britanik BBC se “nuk ka arsye për panik”.

Sipas tij, rreziku është “i ulët”, sepse pluhuri i kontaminuar bllokohet nga një “sarkofag” i trashë betoni, i cili është i mbuluar nga mburoja tjera.

Si pasojë e një shpërthimi të vitit 1986 në Çernobil, në ajër ka rrjedhur sasi e madhe e materialit radioaktiv, duke nxitur emergjencë shëndetësore nëpër një pjesë të mirë të Evropës.

Si përgjigje, Bashkimi Sovjetik i atëhershëm e ka ndërtuar një sarkofag – arkë prej guri – mbi reaktorin bërthamor.

Megjithatë, ajo mburojë ka pasur jetëgjatësi prej 30 vjetësh, duke nxitur nevojën për një mburojë shtesë për të parandaluar rrjedhjen e materialit radioaktiv në 100 vjetët e ardhshëm.

Agjencia e OKB-së ka thënë se një ekip e ka kryer një vlerësim në qendër javën e kaluar, pasi janë kryer “dëme të rënda” nga sulmi me dron. Sulmi ka rezultuar me zjarr në pjesën e jashtme të strukturës prej çeliku.

Inspektorët kanë thënë se nuk është kryer dëm i pandreqshëm në strukturë apo sistemet e monitorimit dhe që tashmë janë kryer disa riparime në çati.

Mirëpo shefi i kësaj agjencie të OKB-së, Rafael Grossi ka thënë se “restaurimi në kohë vazhdon të jetë thelbësor për të parandaluar degradimin dhe për të garantuar siguri bërthamore në periudhë afatgjatë”.

Prej nisjes së dhjetorit, agjencia e OKB-së ka kryer vlerësime për infrastrukturën e energjisë së Ukrainës, teksa shteti vazhdon të mbrohet kundër pushtimit rus.

Përgjatë natës, Rusia ka nisur sulme ajrore në qytetin e Kremençukut, qendër e madhe industriale në zemër të Ukrainës.

Përveç Çernobilit, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka inspektuar edhe nënstacione elektrike të lidhura me sigurinë bërthamore.

“Ato janë absolutisht të domosdoshme për sigurimin e energjisë elektrike që të gjitha centralet bërthamore kanë nevojë për ftohjen e reaktorëve dhe sisteme të tjera sigurie. Ato janë gjithashtu të nevojshme për të shpërndarë energjinë elektrike nëpër familje dhe për industri”, ka thënë mes tjerash Grossi.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Related Articles