Mbyllet pishina e Gërmisë nga Ministria e Shëndetësisë, reagon Rama

Mbyllet pishina e Gërmisë nga Ministria e Shëndetësisë, reagon Rama

Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka mbyllur Pishinën e Gërmisë në Prishtinë, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë njoftoi se uji nuk plotëson standartet për pishinë.

Inspektorët tashmë kanë vendosur shenjën ku tregohet për mbylljen e pishinës, pikërisht në dyert e kësaj pishine.

Rama për situatën në pishinën e Gërmisë: Besoj se këto ditë do të zgjidhet kjo çështje

Lidhur me këtë çështje foli edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se pret që ky problem të zgjidhet së shpejti.

“Për shkak të thatësisë së madhe pishina në Gërmi ka pasur problem edhe për mbushje e saj. Fillimisht e kanë pasur një marrëveshje me Ujësjellësin që t’i ndihmojë gjatë natës, por sa e di atë marrëveshje e kanë ndalur. Me çështjen e pastërtisë janë duke u marrë dhe besoj se këto ditë do të zgjidhet edhe kjo çështje”, tha Rama.

Më herët, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se monitoruar cilësinë e ujit në pishinën e Gërmisë, dhe rezultatet e këtyre mostrave te lëshuara me 22 korrik 2025, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet për ujin e pishinës.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në kuadër të mandatit të tij për mbrojtjen e shëndetit publik, dhe bazuar në kontratën që ka me ndërmarrjen publike “Sport Marketing” SH.A, që bën menaxhimin e pishinës së Gërmisë në Prishtinë, po bën monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit ne këtë pishinë publike. Ekspertët e Ekologjisë Humane nga IKSHPK kanë marrë mostra për analizë laboratorike nga uji i kësaj pishine, të premten më 19 korrik 2025. Rezultatet e këtyre mostrave te lëshuara me 22 korrik 2025, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet për ujin e pishinës. Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë vizitë në këtë pishinë, në të njëjtën ditë. Më 23 korrik 2025, janë marrë mostra të përsëritura dhe rezultatet përfundimtare pritet të jenë të gatshme ditën e premte, me 25 korrik 2025″, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se në momentin që rezultatet e reja do të jenë të disponueshme, qytetarët do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të IKSHPK-së.

Related Articles