Kryetari i Kuvendit Dimal Basha, gjatë një konference për media, tha se ka qenë e rëndësishme “që ne mos ta bllokojmë shtetin për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari”, pasi dështoi zgjedhja e nënkryetari nga komuniteti serb.
I pari i Kuvendit tha se ka përgjegjësi para qytetarëve dhe ndërkombëtarëve, andaj dhe bëri në veprim të tillë.
“Me rëndësi që baza ime për këtë arsyetim ka qenë rregullorja e punës së Kuvendit. Neni 5 thotë se seanca konstituive mbaron me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, mirëpo Neni 16 pika e 4, thotë se kryetari është përgjegjës për zbatimin e rregullores, dhe bën interpretimin përfundimtar të saj”, tha Basha.
“Për mua ka qenë e rëndësishme që pika 4 e rendit të ditës është ezauruar, dhe ka qenë e rëndësishme që ne mos ta bllokojmë shtetin për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari, por të vazhdojmë me punën e Kuvendit”, u shpreh tutje ai.