Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate për media ka thënë se është e përkushtuar për vazhdimin dhe kompletimin e reformës në Drejtësi, pavarësisht se siç thotë ky institucion, ka tendenca për ta penguar atë.
Sipas komunikatës nga MD-ja në takimin e sotëm me Grupin punues për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, përfaqësuesit e Sistemit prokurorial kanë lëshuar takimin.
Kjo sipas tyre, pasi u lexua një deklaratë e përbashkët e KPK-së dhe e Prokurorit të Shtetit në të cilën kushtëzohej bashkëpunimi i KPK-së me Ministrinë e Drejtësisë.
“Diskutimi nga grupi punues është fokusuar në dhënien e rekomandimeve konkrete dhe kontributit profesional nga ana e anëtarëve të grupit punues në drejtim të përmirësimit dhe kompletimit të draftit punues”.
“Gjatë takimit, me theks të veçantë është diskutuar për numrin a anëtarëve të KPK-së, nga 13 në 7, mënyrën e përfaqësimit si dhe mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së por edhe çështje të tjera të rëndësishme, me ç’rast diskutimi dhe kontributi i anëtarëve që ishin pjesë e diskutimit, ishte mjaft frytdhënës. Tutje, për publikun është në interes ta dijë të vërteten mbi atë që u deklarua në media për këtë takim dhe vet reagimin e KPK-së lidhur më këtë takim”, thuhet në njoftim.
Sipas MD-së, kjo qasje nuk është asgjë më shumë përveç se shpërfaqje e mungesës së vullnetit të këtyre të fundit që të merren me adresimin e problemeve që realisht ka sistemi prokurorial dhe gjithashtu shpërfaqë mungesën e veprimit të KPK-së në drejtim të zgjedhjes së problemeve brenda sistemit.
“Shqetësuese tutje mbetet fokusi i përfaqësuesve të sistemit prokurorial në reagimet e shpejta ndaj Ministrisë së Drejtësisë, përderisa në anën tjetër çdo ditë publikohen detaje inkriminuese që paraqesin dyshime për vepra penale, e të cilat do të duhej të ishin fokus i sistemit prokurorial, për çka janë të mandatuar me Kushtetutë dhe ligj”.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar dhe e vendosur në vazhdimin dhe kompletimin e reformave në sistemin e Drejtësisë në drejtim të ngritjes së llogaridhënies dhe rezultateve dhe gjithashtu, në kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi”, thuhet tutje në njoftim.
Këshilli i Prokurorial i Kosovës më herët e ka quajtur të pamundur bashkëpunimin me Qeverinë në kohën kur prokurorët, sipas këtij këshilli akuzohen se janë të përfshirë në veprimtari kriminale./Gazeta Enigma/