“Më detyruan fajdexhinjtë”, arsyetohet këngëtari që “shiste” pasaporta sllovene (VIDEO)

“Më detyruan fajdexhinjtë”, arsyetohet këngëtari që “shiste” pasaporta sllovene (VIDEO)

Të hënën e 10 qershorit të 2022-ës, Eroll Murati takon Fatmir Z. në një nga restorantet e Gjenevës në Zvicër. Nga ky takim i orëve të vona, Murati mori hi[ më pak se 6500 franga zvicerane. Kjo pasi këngëtari nga Gjilani i premtoi Fatmir Z. se për 9500 franga zvicerane, ai do ta pajiste atë me një pasaportë sllovene e cila ka lirinë e lëvizjes në të gjithë zonën Schengen.

Një ditë më vonë në lokalin “L’hair DU Temps” me pronësi të një shqiptari, Murati do t’ia zhvaste edhe 3 mijë euro të tjera të dëmtuarit që po qëndronte pa letra në shtetin zviceran për pasaportën të cilën nuk e pa kurrë, raporton KIKS Kosova.

Për këtë gjë, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur tashmë aktakuzë ndaj Eroll Muratit për veprën penale “mashtrim”.

Bazuar në aktakuzën të cilën e ka siguruar redaksia e Kiks Kosova, i dëmtuari Fatmir Z., ka dëshmuar se fillimisht Murati i kishte kërkuar 15 mijë franga zvicerane në këmbim të pasaportës sllovene, por meqë i dëmtuari dhe i pandehuri vinin nga i njëjti qytet, çmimin ia kishte zbritur për 6 mijë franga.

I dëmtuari në Polici kishte deklaruar se kishte dëshmitar ish-shefin e tij, Samet B., në momentin kur Eroll Murati ia mori paratë dhe i premtoi pasaportën sllovene.

Fatmir Z. kishte deklaruar se paratë i kishte marrë nga Kosova dhe ia kishte dërguar përmes një banke të shpejtë vëllai i tij në emër të shefit Samet B.

Një rrëfim pak më ndryshe në Polici e kishte dhënë Eroll Murati.

Këngëtari kishte pranuar se ia kishte marrë 9 mijë e 500 franga Fatmir Z., i cili punonte si berber, dhe i kishte thënë atij se do t’ia siguronte një pasaportë, por sipas tij, këtë e kishte bërë pasi që ishte keq me para.

Murati thotë se e përdori si kamuflim punën e pasaportave, pasi kishte marrë para me fajde dhe duhej t’i paguante ato.

Ashtu si në Polici, edhe në Prokurori këngëtari është zotuar se do t’ia kthente paratë Fatmirit, por prapë se prapë, ishte arsyetuar se u detyrua nga fajdexhinjtë ta bënte një gjë të tillë.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 13 shkurt të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Gjilan, dhe rasti është duke u trajtuar në Gjykatën Themelore të këtij rajoni.

Related Articles