Opinionsti Agon Maliqi ka vlerësuar se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk do të mund ta formojë Qeverinë e re.
Ai ka bërë me dije se në këtë situatë, zgjedhjet duken të pashmangshme.
“Me shumë gjasë kryeministri në detyrë nuk do ta arrijë formimin e shumicës. Pastaj pritjet janë që presidentja t’ia jap mundësinë partisë së dytë, në këtë rast PDK-së, për ta ndërtuar një shumicë”, ka thënë Maliqi për “Radion Evropa e Lirë”.
Sipas tij, alternativa më e mirë do të ishte një qeveri teknike.
“Nuk duket që ka disponim për një qeveri apo koalicion jetëshkurtër deri në prill. Por ndoshta partitë e ish-opozitës mund të pajtohen për mënyrën e shpërbërjes së Kuvendit – me një qeveri teknike tranzitore që do të miratonte disa ligje bazë, si buxhetin, para se të shkojmë në zgjedhje”, ka theksuar Maliqi.
