Me mbështetjen e GIZ Kosova, thjeshtohet regjistrimi i foshnjave

Me mbështetjen e GIZ Kosova, thjeshtohet regjistrimi i foshnjave

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, mori pjesë në lansimin e nismës për regjistrimin e fëmijës në një vend, pa pasur nevojë që prindërit të enden nga një sportel në tjetrin.

Gjermania, bashkë me BE-në, ka mbështetur uljen e burokracisë përmes këtij projekti të implementuar nga GIZ-i.

Rohde, në fjalën e tij, kërkoi që të imagjinohet një botë ku regjistrimi i fëmijës bëhet me vetëm pak klikime. E ky, tha ai, është realiteti i ri në Kosovë.

“Reduktimi i burokracisë është një gur themeli i qeverisjes së mirë. Duke thjeshtuar shërbimet publike, Kosova po ua lehtëson qytetarëve ngjarjet kyçe të jetës dhe po nxit besimin mes institucioneve dhe njerëzve”, tha ambasadori Rohde.

Në postimin e publikuar në rrjetin social “BlueSky”, ambasada tha se bashkë me BE-në, Gjermania me krenari mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt qeverisjes digjitale me në qendër qytetarin përmes projekteve të zbatuara nga GIZ Kosova.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Po ashtu, prezent ishte edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Siç tha Kurti, në këtë fazë, shërbimet e integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës do të nisin me Komunën e Gjilanit dhe të Ferizajt.

Kryeministri tha se në kuadër të kësaj nisme, në platformën eKosova është krijuar edhe një seksion i veçantë për lindjen e fëmijës, ku qytetarët mund të informohen dhe të planifikojnë faza të ndryshme të kësaj periudhe – nga para-shtatzënia deri te kujdesi pas lindjes.

Related Articles