I mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Bislim Zogaj ka rrëfyer se si ndodhi e gjithë ngjarja, duke shpalosur detaje tejet të dhimbshme.
Zogaj tregon se si pas granatimit të burgut, për disa ditë radhazi mbetën të vrarë e të plagosur shumë persona.
Duke i quajtur përjetime tmerri, Zogaj ka treguar raste të rënda, ku të plagosurit kishin humbur gjymtyrë, e ku gjatë dhënie së ndihmës së parë atij i kishte mbetur në dorë truri i një prej viktimave.
“Nga momenti i parë kur është bombarduar Burgu i Dubravës kam vrapuar deri te pavijoni C për të dhënë ndihmën e parë, ku kanë mbetur 3 të vrarë dhe 3 kanë granatuar për së dyti avionët dhe ku kanë mbetur 24 të vrarë e sidomos tmerr mbi tmerr ka qenë data 22 kur ka pasur edhe më shumë të plagosur. Ka pasur raste ku kam parë plotë njerëz që organet e brendshme për shpine duke dalë nga jashtë, gjymtyrë të këputura, truri kur më ka mbetur në dorë gjatë dhënies së ndihmë së parë. Ka qenë një skenar, kjo masakër”, është shprehur ai në emisionin “Ditari” në TËVË 1.
Madje, Zogaj kujton edhe momentin e fundit që e pa profesorin, Ukshin Hoti, për të cilin tha se është është shoqëruar nga dy persona civil prej burgut, dhe më nuk është parë.
“Me 16 kanë ardhur dhe e kanë marrë profesorin Ukshin, që do të duhej të lirohej me 17 prill dhe të gjithë të burgosurit që ishim në atë pjesë e kemi përcjell për dritare derisa ka dalë jashtë burgut. Ishte i shoqëruar nga dy persona civil, dhe prej asaj dite nuk dihet më për profesorin Ukshin”, shtoi ai.