Mesazhi i presidentit serb Alleksandar Vuçiq, që fliste për kohë të vështira për popullin e Serbisë por zotohej ndërkohë edhe të luftonte për fitoren e saj, është parë me shqetësim nga media italiane “Europa Today”.
“Jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin po fryjnë erëra të rrezikshme”, shkruan media italiane nisur nga “kërcënime ekzistenciale” ndaj vendit të tij të përmendura nga Vuçiq.
Sipas autores Alessia Capasso, ndër datat për t’u ndjekur me vëmendje të madhe për fatin e rajonit përmend 5 dhe 6 majin, ku do të mbahet “Asambleja e Madhe e Pashkëve”, ku siç ka thënë presidenti i Republika Serbe, Millorad Dodik, “do të merren vendime të rëndësishme për mbijetesën e popullit serb”.
“Si rezultat, mesazhet shqetësuese të Vuçiqit, shtyjnë para hipotezën që në ato data mund të ndodhë njoftimi për bashkim mes Serbisë dhe Republika Serbe. Atëherë plagët e pashëruara asnjëherë në vendet e ish-Jugosllavisë do të rihapeshin sërish”, nënvizohet në shkrim gazetarja italiane ku jepet alarmi se nëse kjo do të ndodhë apo shkohet drejt diçkaje konkrete, në Ballkan mund të rikthehet konflikti.
Artikulli përmend edhe për tensionet e vazhdueshme mes Serbisë dhe Kosovës, të shtuara nga vendimi për dinarin por edhe për avancimin e vendit drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Më shqetësuese megjithatë konsiderohet dëshira e Dodikut për ta ndarë Republikën Serbe nga Bosnja. Kohët e fundit, politikani i sanksionuar nga ShBA-ja, njoftoi se do të organizojë një referendum për statusin e territorit.
“Lamtumirë Bosnje, bëhuni gati për Republika Serbe exit”, shkroi Dodiku në gjuhën angleze pas një takimi me Vuçiqin, në një mesazh drejtuar ndërkombëtarëve.
Bashkimi Evropian hapi negociatat e anëtarësimit për të frenuar idetë separatiste në Bosnje dhe Hercegovinë, por Dodiku nuk e pa me sy të mirë këtë vendim. Media italiane nënvizon më tej se edhe presidenti rus Vlladimir Putin e mbështet idenë për bashkimin e Republikës Serbe me Serbinë. /tch