Personat që kanë lexuar tabloidin “Srbija Danas” këtë javë kanë pas rastin të mësojnë se në Kosovë “po përgatitet lufta nga Kosova dhe NATO, se po vijnë më shumë se 20 mijë ushtarë dhe se serbët janë në rrezik të madh”. Në anën tjetër, ata që nuk i kanë lexuar këto tabloide që janë në shërbim të regjimit serb, kanë marrë vesh se në Kosovë realisht po zhvillohet një stërvitje ushtarake ndërkombëtare.
“NATO DHE KURTI PO PËRGATITEN PËR LUFTË!”. Më shumë se 26 mijë ushtarë arrijnë në Kosovë, serbët në rrezik të madh”, është titulli i lajmit të këtij tabloidi të publikuar të hënën.
Në qendër të Prishtinës u hap zyrtarisht stërvitja më e madhe ushtarake ndërkombëtare në Ballkan “Defender Europe 23”, në të cilën po marrin pjesë më shumë se 20 vende aleate dhe partnerë të NATO-s, përfshirë edhe pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Edhe pse titulli përmend luftën, “Srbija Danas” në hyrje të tekstit shpjegon se në të vërtetë është një stërvitje ushtarake.
“Kosova njoftoi se kjo stërvitje do të zgjasë deri më 2 qershor dhe se do të marrin pjesë mbi 26 mijë ushtarë”, shkruan ky tabloid.
Duke iu referuar deklaratës së spiunit të pensionuar serb, Luban Karan, kjo media raporton se “Defender Europe 23” “nuk duhet parë si një ngjarje e padëmshme”, dhe se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po përpiqet të krijojë nga Kosova një shtet të NATO-s
Njëkohësisht, ky oficer i kundërzbulimit serb thotë se shumica prej tyre kanë vite që ndërtojnë “paraushtrinë” e Kosovës, qëllimi i së cilës është “pushtimi i veriut të Kosovës”.
“Pothuajse asnjë stërvitje e NATO-s nuk kalon pa marrë pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës” Kështu na bëjnë me dije se “po punojnë që Kosova të bëhet shtet dhe të ketë ushtrinë e saj ka pretenduar ky spiun serb.
Ky spiun i kundërzbulimit serb gjithashtu “paska zbuluar” se shumë vende po armatosin rregullisht Kosovën, duke trajnuar anëtarët e FSK-së për përdorimin e armëve moderne dhe se disa forca të huaja, paralelisht me këtë proces, po i “krijojnë probleme të brendshme” Serbisë.
Teksti i tabloidit “Srbiija Danas” përfundon pikërisht me përfundimin e oficerit të kundërzbulimit dhe përveç titullit, fjala “luftë” nuk përmendet askund në tekstin e lajmit.
Kjo media në fakt i çon lexuesit në përfundimin me një titull të paqartë se ardhja e më shumë se 26.000 ushtarëve në Kosovë në fakt “paraqet përgatitje për luftë nga kryeministri i Kosovës dhe NATO”.
Për këtë kontribuojnë edhe fjalët e fundit në titull, përkatësisht se “serbët janë në rrezik të madh”.