Mediat rumune: Transferimi i Blesas gati dështoi shkaku i mungesës së rrymës në Prishtinë – u nevojit miratimi nga FIFA

Mediat rumune: Transferimi i Blesas gati dështoi shkaku i mungesës së rrymës në Prishtinë – u nevojit miratimi nga FIFA

Jalen Blesa u bë futbollisti i radhës që kalon nga Superliga e Kosovës në elitën e futbollit në Rumani.

Universitatea Craiova njoftoi zyrtarisht sonte për transferimin e tij nga Prishtina.

Sulmuesi spanjoll nënshkroi kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027.

Por, si ndodhi që zyrtarizimi i tij të bëhet një ditë pas mbylljes së afatit kalimtar dimëror në Rumani?

Sipas mediumit rumun “Gsp.ro”, klubi nga Craiova të hënën kishte mbyllur marrëveshjen për transferimin e Blesas – mirëpo, nuk ia doli që me kohë të bënte regjistrimin e tij. Afati kalimtar në Rumani u mbyll të hënën në mesnatë.

Por, klubi nga elita e futbollit në Rumani bëri një ankesë lidhur me këtë, që sot u miratua nga FIFA.

“Ishte vërtet një situatë e pazakontë dhe juridikisht e vështirë. FIFA rrallëherë miraton përjashtime të tilla dhe përfaqësuesit e Craiovas kanë pasur një sjellje shembullore gjatë këtij procesi, kanë vepruar shumë profesionalisht. Këtë mëngjes ne dërguam argumentet tona ligjore në emër të lojtarit, duke përmendur precedentin e fundit të transferimit të Said Benrahma nga West Ham në Olympique Lyon. Jam i lumtur që transferimi i Blesas përfundoi pavarësisht këtyre pengesave dhe shpresoj që ai të ketë suksese të rëndësishme në fanellën e Craiovas”, deklaroi avokati sportiv, Cristian Cernodolea.

Raporti tutje shton se Craiova prej ditësh po negocionte për të sjellë Blesan. Palët thuhet se kishin arritur marrëveshje gjatë ditës së djeshme, kur edhe u firmosen dokumentet, por ato nuk u regjistruan deri të hënën në mesnatë, kur u mbyll periudha e transferimeve në kampionatin rumun.

Klubi nga Rumania për këtë situatë të krijuar fajësoi klubin e Prishtinës, për siç u tha “mungesë profesionalizmi”, shkruan Gazeta Express.

Mediumi tjetër nga Rumania, “Fanatik.ro”, raportoi se klubi nga kryeqyteti i Kosovës kishte dërguar dokumentet me vonesë.

Madje, shkaktar për vonimin në dërgimin e dokumenteve thuhet se ishte “mungesa e energjisë elektrike”. Kështu deklaroi gazetari rumun, Horia Ivanovici, i cili është edhe pronar i mediumit “Fanatik”. Sipas tij, dokumentet u dërguan me 4-5 orë vonesë.

“U kërkua heqje dorë, sqaruan se ishte shumë e vështirë të vinin dokumentet, kishte edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Universitatea Craiova ka arritur marrëveshje me lojtarin dhe mbetet të shihet nëse ka përjashtime” u shpreh ai.

Sidoqoftë, çdo gjë u zgjidh ditën e sotme pas miratimit nga FIFA për këtë lëvizje dhe në mbrëmje Jalen Blesa u zyrtarizua te Universitatea Craiova.

Related Articles