Incidenti në ndeshjen e barazhit të Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Vushtrrisë dhe Malishevës ka zënë vend edhe në mediat serbe.
Një penallti e dhënë për Malishevën në minutat e fundit të takimit i irritoi jashtë mase tifozët e Vushtrrisë të cilët dëmtuan rrjetën e portës që ishte afër tribunës së tyre, raporton Demokracia.com.
Ndeshja u ndërpre për 15 minuta, për të vazhduar më pas me Malishevën që triumfoi 1:3 dhe kësisoj siguroi pjesëmarrjen në Superligë për të paktën edhe një edicion.
Për këtë incident kanë shkruar edhe mediat serbe, të cilat përveç raportimit rreth ngjarjes u morën edhe me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ishte vendosur nga tifozët vushtrrias në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Flamuri i UÇK-së, ushtri e cila ishte tmerri për forcat pushtuese serbe gjatë luftës në Kosovë ishte vendosur në mes të tribunës ku ishin vendosur tifozët e “Ultras Forca”.
“Egërsira nga Kosova: Tifozët e Vushtrrisë grisën rrjetën e portës, flamuri i UÇK-së në qendër të tribunës”, thuhej në titullin e mediumit serb “Telegraf.rs”, transmeton Demokracia.com.
Ndër tjerash ata u morën edhe me figurën e heroit Zahir Pajazitit, emër të cilin e mban me shumë krenari edhe stadiumi në Podujevë.
“Ndeshja u luajt në stadiumin që mban emrin e njërit prej liderëve të organizatës terroriste “UÇK”, Zahir Pajaziti, i cili u vra në vitin 1997 në përleshje me forcat e sigurisë serbe”, thuhej në paragrafin tjetër skandaloz të lajmit nga medium serb./Demokracia.com/