Aleksandar Vulin, ish-ministër i Policisë në Serbi, është emëruar drejtor i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë, e njohur si BIA.
Kështu së paku ka raportuar mediumi serb “Nova”, e cila thirret në burime dhe thekson se Vulini është zgjedhur sot në atë pozitë në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë.
Në dy vitet e mëparshme, ai ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe mandati i tij është shënuar me polemika të shumta.
Emri i tij nuk u lexua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kur shpalli përbërjen e kabinetit të qeverisë së re të Serbisë, por as që e falënderoi për “bashkëpunimin e deritanishëm”.
Para se të bëhej ministër i Policisë, Vulini ka qenë ministër i Mbrojtjes, ndërsa para kësaj ka qenë në krye të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Ai ishte edhe drejtor i Zyrës për Kosovë.
Ligji për Agjencinë e Informacionit të Sigurisë e ndalon normalisht angazhimin e figurave partiake në BIA, por kjo nuk e pengoi qeverinë aktuale të emërojë Vulinin, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Socialiste, në postin drejtues të atij shërbimi.
Më parë, postin e drejtorit të BIA-s e kishte Bratislav Gashiq, një zyrtar i lartë i SNS-së.