Pas gati pesë vjetëve si kryeministre e Serbisë, Ana Bërnabiq, më në fund e pa Kosovën dhe serbët që jetojnë atje, shkruajnë analistët e pavarur beogradas. Për ta përgatitur sërish për postin e kryeministres, Aleksandar Vuçiq, e dërgoi atë, në vend se të shkonte vet, në një turne ritual poshtërues në “tokën e shenjtë serbe”. Dhe këtë pikërisht pasi Kosova u njoh de fakto me marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës për njohje reciproke të dokumenteve personale, ka shkruar gazeta kroate “Slobodna Dalmacija” në një shkrim për zhvillimet e fundit Kosovë-Serbi.
Sipas gazetës kroate, me të arritur Bërnabiq në kufi e ka kuptuar hendekun mes realitetit dhe asaj që deklaron vetë ajo.
“Mosmarrëveshja për kalimin e papenguar të serbëve nëpër Kosovë dhe kosovarëve nëpërmjet Serbisë në bazë të dokumenteve zyrtareve të të dy vendeve ende nuk ka ardhur në jetë, kështu që kryeministres Bërnabiq i është dashur t’i mbulojë simbolet shtetërore në veturën zyrtare të saj me një stiker me të arritur në kufi me Kosovën. Kjo e nënvizoi hendekun midis realitetit dhe Kushtetutës së Serbisë, sipas së cilës Kosova është pjesë integrale e Serbisë, dhe po ashtu deklaratës së vetë Bërnabiqit për gazetarët kosovarë se ajo ndihet si në shtëpinë e saj. Meqë ra fjala, asaj i ishte ndaluar zyrtarisht me vjet të hynte në Kosovë, pasi i quajti shqiptarët “njerëz të malit””, shkruan “Slobodna Dalmacija”.
Gazeta kroate ka shtuar se arsyeja pse Vuçiqi e ka dërguar Bërnabiqin në Kosovë, është se synon ta “sakrifikojë” atë, duke e shtyrë të firmosë marrëveshjen përfundimtare me Kosovën.
“Pse Vuçiqi vendosi ta dërgonte Bërnabiqin në një pelegrinazh në Kosovë pikërisht tash? Nga njëra anë, për shkak të përmirësimit të imazhit të saj para ri-inagurimit si kryeministre, në mënyrë që opozita të mos ia përmendte në parlament mosvizitën e saj në Kosovë. Nga ana tjetër, sepse presidenti i Serbisë, është duke përgatitur qartë Ana Bërnabiqin që së shpejti të “gëlltisë bretkosa të mëdha të Kosovës”. “Vuçiqologët” e Beogradit janë të bindur se lideri i tyre i Serbisë do ta sakrifikojë Bërnabiqin në procesin e normalizimit të pashmangshëm formal të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës. Nënshkrimin në ato dokumente kyçe të marrëveshjes do ta japë patjetër kryeministrja, në mënyrë që “Aleksandri i pagabueshëm” ta shmangë përgjegjësinë historike dhe stigmën e tradhtarit. Në këtë kontekst, nuk është i papërfillshëm fakti që Vuçiqi i ka garantuar Ana Bërnabiqit paraprakisht vetëm gjysmën e mandatit si kryeministre, deri në vitin 2024, kur do ta rishikojë pozicionin e saj. Lexoni: deri atëherë do të jetë mall i shpenzuar politikisht dhe i gatshëm për t’u hedhur, i gatshëm për zhurmën e historisë”, thuhet nga “Slobodna Dalmacija”.
Gazeta kroate shkruan se Vuçiqi e ka të qartë plotësisht se pa normalizim me Kosovën, nuk ka jetë për të, sepse dera e Evropës do t’i mbyllet përgjithmonë, e po ashtu nuk është mençuri lidhja me Putinin, që edhe vendin e tij po e çon drejt rrënimit të sigurt.
“Edhe deri tash, ai ka bërë shkelje të tilla patriotike ndaj Kosovës, sa që tjerët, si Boris Tadiqi, do të ishin kryqëzuar shumë kohë më parë, po të ishin në vend të tij. Vuçiqi shfuqizoi institucionet paralele të Serbisë në veri të Kosovës, detyroi serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga Prishtina, njohu dokumentet e identitetit të Kosovës. Atij i mbeti vetëm akti përfundimtar i kapitullimit dhe heqjes dorë nga “toka e shenjtë serbe”. Për të cilën padyshim se nuk i intereson shumë, por i intereson më shumë që disi të mos vërehet në publikun serb”.