Një operacion ndërkombëtar antidrogë ka çuar në kapjen e një nëndetëseje me 6.5 ton kokainë në ujërat e Portugalisë
Operacioni i koduar “Nautilus” u zhvillua me sukses, duke ndaluar mjetin lundrues të pajisur me teknologji të avancuar, i cili ishte nisur nga Amerika e Jugut.
Sipas autoriteteve portugeze, nëndetësja dyshohet se i përket Primeiro Comando da Capital (PCC), një prej grupeve më të fuqishme dhe të dhunshme kriminale në Amerikën Latine. Prania e këtij karteli në Portugali është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Ende nuk është e qartë nëse destinacioni final i kokainës ishte porti i Sinesit në Portugali apo nëse trafikantët synonin ta shpërndanin lëndën narkotike në sasi më të vogla në mes të detit për ta dërguar më pas në vende të tjera të Evropës.
Pesë anëtarët e ekuipazhit, tashmë të arrestuar, janë shtetas brazilianë, kolumbianë dhe spanjollë. Ata janë marrë në pyetje nga hetuesit, ndërsa pritet të përballen me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge.
Ky operacion vjen pak kohë pas arrestimit të Gabriel Martinez Sousa, një trafikant brazilian i dyshuar se kontrollonte një rrjet palombarësh që rikuperonin drogën nga skafet dhe anijet në det të hapur.