Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur këtë të martë në takim udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së OVL UÇK-së, Faton Klinaku.
Me këtë rast, Mehaj ka thënë se veteranët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve të luftës çlirimtare të UÇK-së janë referenca e shenjtë e punës dhe shërbimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
“Proceset gjyqësore dhe vendimet e padrejta ndaj luftëtarëve të lirisë nuk na zmbrapsin në synimet tona për të ecur përpara drejtë realizimit të shtetit të fortë dhe prosperues, ishte qëndrimi i përbashkët gjatë takimit të sotëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, Mehaj ka thënë se delegacionin e ka njoftuar me objektivat e ministrisë dhe ushtrisë për ruajtjen e kultivimin e vlerave të shenjta të luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Përfaqësuesit e organizatave të UÇK-së, i njoftova edhe me procesin e realizimit të projektit për mbjelljen e fidanëve në hapësirat e kazermës ‘Adem Jashari’, ku çdo fidan do të simbolizojë një dëshmor të kombit – luftëtar të UÇK-së”.
“Gjithashtu u dakorduam që bashkëpunimi ynë ndërinstitucional të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte e iniciativa në shërbim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave tona historike si bazamente frymëzimi për të tashmen dhe të ardhmen tonë”.