Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e transferimit të detyrës së drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, nga gjeneral Jorg Ruter te gjenerali Joachim Hoppe.
Mehaj tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, sepse sipas tij, Kosova i ndanë vlerat e mendimet e njëjta demokratike me NATO-n, prandaj sipas tij, prioriteti i Kosovës është ngritja e kapaciteteve operacionale të FSK-së sipas standardeve të NATO-s.
Tutje, Mehaj tha se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë krijuar e zhvilluar përmes mbështetjes jetike të miqve, anëtarëve dhe partnerëve të Kosovës në NATO, e sipas tij, do të vazhdojnë të punojnë së bashku për t’i përmbushur synimet për t’u bërë pjesë e NATO-s.
“Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnere të NATO-s që nga fillimi i punës në Ministrinë e Mbrojtjes, përkrahja përmes NATO-s dhe përmes ekipit ndërlidhës ka qenë e një rëndësie të veçantë”, ka thënë Mehaj.
Më tej, i pari i Mbrojtjes tha se objektiv i tyre është që forcat e tyre të jenë të ndërveprueshme me forcat e vendeve anëtare të NATO-s, por edhe me NATO-n kudo që kërkohet krahas partnerëve të Kosovës.
Ndërsa, drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s, Joachim Hoppe, ka thënë se si drejtori ardhshëm nuk do të jetë vetëm, por do të jetë në mesin e grave dhe burrave që vijnë nga 16 kombe të ndryshme, të cilët sipas tij, janë thelbi i NALT-it.
Hoppe, tha se për vitin e ardhshëm synimi mbetet i pandryshuar, t’i këshillojnë dhe në këtë mënyrë ta promovojnë zhvillim sa më të mirë të organizatave dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Ai tha se si gjerman që është, është tipike t’i referohet futbollit dhe punës në ekip,.
“Në futboll gjithçka ka të bëjë me ekipin, prandaj jam krenar që tani e tutje kam një vend të rregullt në këtë ekip të NATO-s”, ka thënë Hoppe