Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus u deklarua pasi sot Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar nga kryeparlamentari, Dimal Basha, raporton Gazeta Enigma.
Ai ka hedhur dyshime nëse procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit nënkryetar i Kuvendit ishte e ligjshme.
“Kur përfundojnë tre raunde votimi për të gjithë kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, procedura rinis për ditët e mbetura brenda afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk e kanë refuzuar të drejtën për të propozuar kandidatin, prandaj mekanizmi i “shortit” nuk ka mundur të aktivizohet”, ka shkruar ai në Facebook.
Krasniqi tha se ajo që ka ndodhur sot në praktikë është se kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç parashihet, por nga deputetët e shumicës.
Me 71 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës e zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk i siguruan votat e nevojshme.