Meksikë: Nusja arrestohet në ditën e dasmës

Meksikë: Nusja arrestohet në ditën e dasmës

Një nuse u arrestua për zhvatje të dyshuar në ditën e saj të dasmës në Meksikë dhe u fotografua e prangosur me fustanin e saj të bardhë, e rrethuar nga policia, raporton Skynews.

Gruaja, e identifikuar vetëm si Nancy N nga prokurorët e shtetit, as nuk arriti të hynte në kishë teksa policët i zunë pritë ceremonisë.

Ajo u ndalua teksa doli nga automjeti për të hyrë në kishë, sipas raportimeve të mediave lokale.

Burri i saj i ardhshëm, i quajtur Clemente N – pseudonimi i të cilit është “El Raton”, që do të thotë miu – kërkohet me të njëjtat akuza, por arriti të arratisej.

Dyshja – dhe të tjerët – akuzohen për zhvatje të tregtarëve të pulave në Toluca pranë Mexico Cityt dhe dyshohen për rrëmbimin e katër punëtorëve nga një dyqan shpendësh, thanë autoritetet.

Zyra e prokurorit postoi në mediat sociale foto të të dyshuarve të arrestuar gjatë operacionit në dhjetor – duke përfshirë nusen me fustanin e nusërisë në pranga, të rrethuar nga oficerët.

Grupi dyshohet se ka lidhje me kartelin e drogës La Familia Michoacana, thanë autoritetet.

Hetimi policor vazhdon.

Related Articles