Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, është shpallur e pafajshme lidhur me akuzën për mos raportim të pasurisë, raporton Gazeta Enigma
Aktgjykimi u shpall sot, nga gjykatësja Lumnije Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohej me burgim, ku do të llogaritej shume prej 20 euro për një ditë burgim.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër edhe pse ka qenë e obliguar.