Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka denoncuar neglizhencën që, sipas saj, çoi në tragjedinë e Crans-Montana.
Të premten, Meloni deklaroi se tragjedia erdhi si pasojë e shumë dështimeve dhe ndjekjes pas “parave të fituara lehtë”, transmeton albinfo.ch. Ajo premtoi drejtësi për familjet e viktimave.
“Ajo që ndodhi nuk është një aksident i thjeshtë. Është rezultat i shumë njerëzve që nuk e bënë punën e tyre ose që menduan se mund të fitonin para të lehta”, u tha ajo gazetarëve në konferencën e saj për shtyp të Vitit të Ri në Romë.
“Dhe ata që janë përgjegjës duhet të identifikohen dhe të ndiqen penalisht.”
Meloni mori pjesë në një meshë në një kishë në Romë për gjashtë viktimat italiane të zjarrit në Crans Montana. Qindra njerëz – të afërm dhe miq të familjeve të prekura, udhëheqës politikë dhe anëtarë të shërbimeve të shpëtimit dhe sigurisë – ishin gjithashtu të pranishëm, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
