Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se si pasuri të paluajtshme posedon një apartament 110 metra katrorë dhe një shtëpi 202 metra katrorë me 2.86 ari truall që në total kanë vlerë prej 270 mijë eurosh.
Krasniqi në Agjencinë Kundër Korrupsionit si pasuri të luajtshme ka deklaruar bibliotekën personale në vlerë prej 13 mijë eurosh, piktura dhe vepra arti me vlerë 6500 euro dhe një veturë Tiguan me vlerë prej 22 mijë e 500 eurosh që është në pronësi të bashkëshortes së tij.
Por, sa para të gatshme ka në institucione financiare kryetari i PDK-së?
Memli Krasniqi, në dy banka të ndryshme, ka afro 11 mijë euro para të gatshme derisa bashkëshortja e tij ka 813.91 euro në llogarinë e saj.
Në formularin e deklarimit të pasurisë, Krasniqi ka treguar se ka dy kredi, 65 mijë euro që synim kanë pasë blerjen e shtëpisë dhe 30 mijë euro për renovimin e shtëpisë, në ndërkohë që edhe bashkëshortja e tij ka një kredi në vlerë prej 23 mijë e 265 euro detyrime financiare e cila është marrë për blerjen e veturës.
Në deklarimin e të hyrave vjetore, ku ka deklaruar të hyra vjetore nga paga në Kuvendin e Kosovës prej 21,602.58 euro, rezulton se Memli Krasniqi ka tërhequr dy herë kriptovaluta në vlerë afër 10 mijë euro – një herë 3 mijë e 78 euro dhe një herë 6 mijë e 177 euro e 91 centë.