Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e ka nisur ditën duke i vizituar familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Krasniqi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi finalizuan përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri, si dhe pas çlirimit vazhduan punën për të jetësuar ëndrrën e çdo qytetari.
“15 vjet shtet! Nder e krenari që shënimin e datës historike të 17 Shkurtit, ta filloj me vizita te familjet e heronjve të luftës dhe të paqes, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke qenë pjesë e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, finalizuan përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri, si dhe pas çlirimit vazhduan punën për të jetësuar ëndrrën tonë për shtet të pavarur e sovran, demokratik e të zhvilluar”, ka shkruar Krasniqi.
Tutja ka thënë se kontributi i tyre nuk u kufizua në një etapë të vetme historike.
“Misioni i tyre për t’i dalë zot Kosovës ishte dhe mbetet i përhershëm. Ndonëse sot çlirimtarët janë larg familjeve të tyre dhe larg nesh në misionin e tyre për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së, me mendje dhe me zemër ata i kemi përherë pranë.
Jam i lumtur që një pjesë të rrugëtimit tim politik, pata fatin ta zhvilloj përkrah këtyre personaliteteve. Mirënjohje e respekt maksimal për punën e palodhur dhe angazhimin e pandalur të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së për Kosovën. Gëzuar Dita e Pavarësisë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.