Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Krimet Kibernetike janë aktivizuar për të nisur hetimet pas një rasti të shantazhit që u denoncua nga menaxheri i institutit INKOS në KEK.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije rasti është denoncuar nga Naim Baftiu, drejtor i Institutit, i cili tashmë ka dërguar prova në lidhje me një rast të shantazhit që pretendon se është bërë përmes një emaili.
Çka përmban emaili dhe në emër të kujt pretendohet se është bërë?
Siç mëson Sinjali, drejtori Baftiu ka deklaruar para hetuesve policorë se ka pranuar një email në emër të një personi (emër i njohur për redaksinë) me mesazh shantazhues ndaj tij dhe në drejtim të disa drejtorëve të menaxhmentit të KEK-ut.
Bazuar në dëshminë e tij, përmbajtja e këtij emaili lidhet me menaxhmentin e KEK-ut dhe punën që Instituti INKOS kryen. Personi që ka dërguar këtë email ka akuzuar se KEK nuk po i ofron punë këtij instituti, por kompanive të tjera.
Përveç deklaratës së tij dhe provave që janë pranuar tashmë nga zyrtarët policorë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Shantazhi”, që do të zbardhin detajet për personin qe ka dërguar emailin dhe qëllimin e tij.