Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se “mendësisë abuzive të VV-së” do t’i vijë fundi më 28 dhjetor, raporton Gazeta “Enigma”.
Çitaku përmes një postimi në Facebook ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon, siç thotë ajo, “avazin e vjetër” të shpërdorimit të resurseve shtetërore për qëllime elektorale.
“Lëvizja Vetëvendosje vazhdon me avazin e vjetër, shpërdorimin e të gjitha resurseve shtetërore për beteje elektorale. Kjo sjellje tregon mungesë respekti për vet shtetin dhe institucionet e Republikës. Institucionet janë më të mëdha se partitë, më të mëdha se individët. Ne jemi vetëm shërbyes të përkohshëm në to”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ndër të tjera, sekretarja e PDK-së thotë se cenimi i institucioneve është i rrezikshëm për demokracinë, për ligjshmërinë dhe për vet Republikën. “Ambasadat nuk janë të VV-së. As të PDK-së. Ambasadat janë të Republikës së Kosovës. Mendësisë abuzive të VV-së do t’i vijë fundi më 28 Dhjetor”, përfundoi ajo.
