Menjëherë pas ndarjes ia dogji veturën, 61-vjeçari në Prishtinë s’e lë rehat ish të dashurën

Menjëherë pas ndarjes ia dogji veturën, 61-vjeçari në Prishtinë s’e lë rehat ish të dashurën

Shpeshherë burrat e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e shantazhet ndaj tyre.

Në hall nga ish i dashuri është edhe një grua në Prishtinë, e cila edhe më parë kishte kërkuar ndihmën e Policisë si pasojë e shqetësimeve dhe dëmeve që ia shkaktoi i dyshuari menjëherë pas ndarjes.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 61-vjeçari ishte arrestuar pasi i kishte vënë flakën veturës së viktimës, gjë e cila e kishte detyruar 49-vjeçaren që të pajiset me urdhërmbrojtës të lëshuar nga Gjykata.

Mirëpo as arrestimi ‘nuk ia la shenjë’ të dyshuarit, pasi me t’u liruar vazhdoi avazin e vjetër me ngacmimin e viktimës. Së fundi ai dyshohet se e ka kërcënuar përmes telefonit dhe më pas e ka ndjekur për disa ditë me veturë.

Viktima ka denoncuar sërish rastin në Polici dhe njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë dhe ta shoqërojnë në stacion policor të dyshuarin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mospërfillja e Gjykatës’.

Related Articles