Mërgimtari në Gjilan voziti 113 km/h në zonën 60, policia njofton Zvicrën

Mërgimtari në Gjilan voziti 113 km/h në zonën 60, policia njofton Zvicrën

Policia e Kosovës ka ndaluar një drejtues automjeti me targa zvicerane që po qarkullonte me shpejtësi të tejkaluar në rrugën nacionale Gjilan – Kamenicë.

Ngjarja ka ndodhur më 25 korrik 2025, gjatë një kontrolli të rregullt të trafikut të zhvilluar nga Njësia për Komunikacionin Rrugor e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti me targa të Zvicrës (ZH) është ndaluar pasi shoferi po lëvizte me 113 km/h, në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h, i përcaktuar qartë përmes sinjalistikës rrugore.

Policia i ka shqiptuar drejtuesit të automjetit, i cili posedon patentë shoferi të lëshuar nga autoritetet zvicerane, një gjobë administrative prej 300 eurosh për kundërvajtje, si dhe një masë mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike në territorin e Republikës së Kosovës për tre muaj.

Në përputhje me marrëveshjen dypalëshe për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, që synon trajtimin e kundërvajtjeve të kryera nga shtetasit përkatës në territorin e njëri-tjetrit, kjo gjobë do t’i njoftohet edhe autoriteteve kompetente në Zvicër, përmes kanaleve zyrtare të bashkëpunimit.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve, veçanërisht mërgimtarëve që vizitojnë vendin gjatë sezonit veror, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të shmangur aksidentet dhe ndëshkimet ligjore.

Related Articles