Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, do të vaksinohet kundër sëmundjes Covid-19 të premten. Njoftohet se ajo do ta marrë vaksinën e kompanisë “AstraZeneca”, e cila në Gjermani u jepet vetëm personave mbi moshën 60-vjeçare.
Përdorimi i kësaj vaksine është kufizuar vetëm për personat e moshuar edhe në shumë shtete të tjera evropiane për shkak të paraqitjes së rasteve të mpiksjes së gjakut pas vaksinimit, transmeton Gazeta Express.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se lidhja mes kësaj vaksine dhe mpiksjes së rrallë të gjakut është e mundshme, por se efektet pozitive të vaksinës ia marrin anën çfarëdo rreziku. Sidoqoftë, Danimarka ka vendosur që ta largojë vaksinën e AstraZeneca-s tërësisht nga programi i vaksinimit.
Ndryshe, Gjermania ditëve të fundit po përballet me rritjen e numrit të rasteve. Ky shtet regjistroi 29.426 raste të reja me Covid-19, që është shifra më e lartë ditore që nga 8 janari. Shifra e përgjithshme e infektimeve shkoi në mbi 3 milionë e 70 mijë.