Sezonin e kaluar, Dukagjini i Klinës luftoi deri në xhirot e fundit për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit kosovar, gjë të cilën edhe e arriti.
Në prag të fillimit të edicionit 2022/2023, Dukagjini ka synimet më të mëdha sesa mbetja në Superligë. E këtë e konfirmon edhe kapiteni Altin Merlaku. Merlaku thotë se Dukagjini synon që të renditet sa më lart në tabelë. Ai pohon se është i gatshëm t’i prijë skuadrës për të siguruar një vend që dërgon në garat evropiane sezonin 2023/24. Sipas tij, është herët të flitet për një gjë të tillë, por në bazë të skuadrës që ka Dukagjini, ai beson shumë në këtë arritje.
“Synimi i Dukagjinit në edicionin e ri do të jetë që të renditet sa më lart në tabelë dhe pse jo ta sigurojmë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane. Sigurisht, është herët të flasim, por ne do ta japim më të mirën që të arrijmë objektivat që ka klubi. Si kapiten, besoj që do t’i prij ekipit që të sigurojmë një vend që na dërgon në garat evropiane. Kjo është dëshira ime më e madhe”, tha Merlaku të shtunën për KOHËN.
Për të arritur synimet, Merlaku shpreson që të vazhdojë me formë të mirë në edicionin e ri, të cilën e pati në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar. Në kampionatin e kaluar, sulmuesi i krahut kishte shënuar nëntë gola, secili më i bukur se tjetri. Ai e kishte ndihmuar ekipin edhe me tri asistime.
“Është e vërtetë që kam kaluar formë të mirë në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar. Kam shënuar gola të bukur dhe sigurisht pa ndihmën e bashkëlojtarëve nuk do të ishte e mundur. Besoj që edhe në këtë sezon do të jem në formë të mirë në mënyrë që t’i ndihmoj ekipit që të ecim përpara. Dukagjini ka në radhët e veta lojtarë cilësorë dhe me përvojë”, theksoi Merlaku.
Dukagjini ka bërë ndryshime në skuadër për edicionin e ri. Ka larguar disa lojtarë dhe ka ofruar disa të tjerë. Ndërkaq, shtabi teknik do të jetë i njëjti, me trajnerin Armend Dallku. Merlaku pohon se gjithçka ka shkuar mirë në fazën përgatitore. Ruajtja e boshtit të ekipit, sipas tij, do ta ndihmojë shumë Dukagjinin në kampionatin e ri që të arrijë suksese.
“Përgatitjet kanë shkuar mjaft mirë. Jemi të gjithë lojtarët në formë të mirë. Kemi punuar shumë dhe besoj që Dukagjini është gati për sezonin e ri. Ka pasur edhe largime nga skuadra, por jemi munduar që t’i zëvendësojmë ato vende ku kemi pasur nevojë dhe ia kemi arritur mjaft mirë. Dukagjini e ka ruajtur ekipin bazë që e kemi pasur edhe në sezonin e kaluar. Besoj që kjo do të jetë një shtytje e madhe pasi e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe kjo do të na ndihmojë shumë”, përfundoi Merlaku.
29-vjeçari, Merlaku, është rritur te Dukagjini i Klinës. Ka luajtur në Superligë edhe për Drenicën e Skenderajt dhe për Llapin nga Podujeva. Skuadra e Dukagjinit e mbylli sezonin e kaluar në vendin e shtatë me 50 pikë, aq sa kishte edhe Drenica e cila u rendit në pozitën e gjashtë. Ndeshjen e parë në sezonin e ri (2022/2023), Dukagjini do ta luajë në stadiumin “18 Qershori” në Klinë kundër skuadrës së Prishtinës më 14 gusht.