Mes sfidave në rritje të sigurisë ndërkombëtare, Bashkimi Evropian duhet të transformohet në një bashkim evropian të mbrojtjes, tha të hënën kancelari gjerman Friedrich Merz.
Duke folur në një samit biznesi të sponsorizuar nga e përditshmja kryesore Suddeutsche Zeitung, Merz tha se evropianët duhet të ndërmarrin hapa të rinj në përgjigje të luftës në Ukrainë, ndryshimeve në marrëdhëniet euro-atlantike dhe qëndrimit gjithnjë e më agresiv të Kinës.
“Nuk mund të mbështetemi më te SHBA-ja për të na mbrojtur, te Kina për të na furnizuar me lëndë të para, apo te Rusia që përfundimisht të kthehet në rrugën e paqes. Bota po ndryshon dhe Evropa duhet të përgjigjet”, tha Merz.
Sipas tij, është një domosdoshmëri për ta transformuar Bashkim Evropian në një bashkim evropian të mbrojtjes.
“Ne përballemi me sfida ndërkombëtare të cilat ne si evropianë duhet t’i adresojmë së bashku, me aftësinë për të mbrojtur veten”, theksoi ai.
Merz theksoi se Gjermania, si ekonomia më e fortë e BE-së dhe vendi më i populluar, duhet të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha për Evropën.
“Ne mbajmë një përgjegjësi shumë më të madhe se kushdo tjetër për të marrë përsipër udhëheqjen brenda kësaj BE-je. Por kjo mbetet një frazë boshe nëse nuk është e mbushur me substancë”, tha ai.
