Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, pas raportimeve se numri i viktimave në enklavë ka kaluar 58,000 persona.
Merz ka paralajmëruar se qasja aktuale e Izraelit në luftën kundër Hamasit “nuk është më e pranueshme”, duke theksuar se kjo nuk e arsyeton vuajtjen masive të civilëve palestinezë.
Është e qartë se ku jemi. Ne po bëjmë gjithçka mundemi për të qenë të drejtë ndaj të dyja palëve,” – ka deklaruar Merz, duke theksuar se Gjermania do të vazhdojë të ruajë balancën mes mbështetjes për sigurinë e Izraelit dhe të drejtave të popullit palestinez.
Ai ka bërë të ditur se Gjermania është e gatshme të rrisë ndihmën humanitare direkte për Gazën, ndërkohë që ka kritikuar ashpër vendimin e Izraelit për të dëbuar organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe për të lejuar vetëm Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF) të veprojë në terren.
Ky fondacion, i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, është cilësuar nga kritikët si një “kurth cinik vdekjeprurës” për banorët që kërkojnë ndihmë.
Situata në GHF është përkeqësuar më tej pas dorëheqjes së drejtorit ekzekutiv Jake Wood, i cili ka deklaruar se programi nuk i përmbush parimet themelore humanitare.
Merz ka theksuar se ndonëse Gjermania nuk mbështet politikën e ngulimeve izraelite, ajo mbetet e përkushtuar për sigurinë e shtetit të Izraelit, për shkak të përgjegjësisë historike që mban.
“Shteti i Izraelit do të pushonte së ekzistuari nëse nuk do të mbrohej”, – ka deklaruar Merz, duke refuzuar krahasimin mes agresionit rus në Ukrainë dhe veprimeve të Izraelit në Gaza.
Ai ka konfirmuar kontaktet e rregullta me kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe ka hedhur poshtë thirrjet për pezullimin e marrëveshjeve të asociimit mes BE-së dhe Izraelit.