Kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar një ndryshim të madh në kabinetin e tij qeveritar të premten, përpara një serie zgjedhjesh të rëndësishme rajonale.
Nina Warken pritet të pasojë Thorsten Frein si shefe e Kancelarisë, ndërsa Carsten Linnemann, i cili deri tani ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i partisë CDU të Merzit, do të marrë postin e ministër i Shëndetësisë.
Ky riorganizim vjen në një kohë kur Merz po përpiqet t’i japë një shtysë të re qeverisë së tij, e cila po përballet me rënie të popullaritetit dhe vështirësi në përmbushjen e premtimeve për nxitjen e ekonomisë.
Sondazhet në Gjermani tregojnë rënie të mbështetjes për Merzin dhe rritje të përkrahjes për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), ndërsa vëmendja është përqendruar te zgjedhjet e ardhshme në landët Berlin, Saksoni-Anhalt dhe Meklenburg-Pomerani.
Në kuadër të ndryshimeve, Linnemann do të zëvendësojë Warken në postin e ministrit të Shëndetësisë, ndërsa ajo do të marrë drejtimin e Kancelarisë nga Thorsten Frei.
Frei ishte emëruar tashmë si lideri i ardhshëm i grupit parlamentar të Unionit pas dorëheqjes së Jens Spahn javën e kaluar, pas një polemike lidhur me çështjen e surrogacisë.
Spahn dhe bashkëshorti i tij njoftuan se ishin bërë prindër përmes një nëne surrogate në Shtetet e Bashkuara, gjë që shkaktoi debat në Gjermani, ku surrogacia është e ndaluar dhe kundërshtohet nga CDU.
Ndërkohë, raportohet se edhe ministri i Transportit Patrick Schnieder pritet të largohet nga posti, ndërsa deputeti i Bundestagut Fritz Güntzler po konsiderohet si pasues i mundshëm.
Merz pritet të prezantojë detaje të tjera për riorganizimin gjatë ditës së nesërme, ndërsa priten edhe ndryshime të tjera në përbërjen e qeverisë, shkruan Euronews.
