Pakënaqësitë me pagat e vogla, mësimdhënësit e Kosovës po i manifestojnë në forma të ndryshme.
Meqenëse ministria e Financave nuk u ka kthyer ende përgjigje kërkesave të tyre të parashtruara përmes SBAShK-ut, një pjesë e tyre kanë nisur të bëjnë edhe nga dy puna.
Në një lidhje direkte në emisionin Kiks Kosova, mësimdhënësi Afrim Gashi tregoi për pakënaqësitë që ka lidhur me pagat.
Gashi, i cili është mësimdhënës në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, shtoi se nuk ka diçka të organizuar në shkollën ku punon në lidhje me grevën e heshtur, por që ka pakënaqësi lidhur me koeficientin e pagave dhe mungon motivi në punë për shkak të saj.
Sipas mësuesit të fëmijëve, kjo po ndodh për shkak të trajtimit jo adekuat ndaj mësimdhënësve nga shteti, pasi që, sipas tij, paga aktuale nuk po përmbush nevojat e familjeve katër-anëtarëshe.
Ai tha se shumë prej mësimdhënësve po kërkojnë punë dytësore në mënyrë që të përballojnë shpenzimet mujore.