Mësohet se mesazhi për bombë në Aeroportin e Prishtinës ishte në gjuhën arabe

Mësohet se mesazhi për bombë në Aeroportin e Prishtinës ishte në gjuhën arabe

Policia e Kosovës ka konfirmuar se alarmi për bombë në Aeroportin e Prishtinës ka rezultuar të jetë i rrejshëm, ndërsa, RTV Dukagjini ka mësuar se mesazhi ishte dërguar në gjuhën arabe

Mesazhi për mjete shpërthyese në Aeroportin e Prishtinës, mësohet se është dërguar në gjuhën arabe.

Zëdhënësja e Aeroportit, ka thënë se alarmi për mjet shpërthyes është dërguar ndërmjet një email-i në drejtim të Aeroportit “Adem Jashari”.

“Alarmi për mjet shpërthyes është dërguar ndërmjet një email-i në drejtim të Aeroportit “Adem Jashari”. Njoftimi në email ka qenë se brenda aeroportit kanë qenë disa mjete shpërthyese. Alarmi pas inspektimeve doli të jetë i rrejshëm”, ka thënë zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

Ndërsa, pas mesazhit kërcënues, Policia e Kosovës ka konfirmuar se alarmi për bombë në Aeroportin e Prishtinës ka rezultuar të jetë i rrejshëm dhe se ka filluar sërish punën Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

“Pas përfundimit të kontrollit dhe punëve nga institucionet relevante, funksionimi dhe qarkullimi në aeroport i është kthyer normalitetit, andaj i falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu gazetarja e RTV Dukagjinit e cila gjendej në vendin e ngjarjes kishte bërë të ditur se qytetarët kishin filluar të hyjnë përsëri në këtë aeroport.

Related Articles