Një 11-vjeçare nuk është lejuar të hyjë në klasë në shkollën “Xhemajl Mustafa”, gjatë ditës së sotme.
Sipas Paparacit, ajo është larguar nga klasa nga mësuesi i anglishtes, M.H, për shkak të veshjes së saj me rroba me motive kombëtare për festën e 28 nëntorit, që nga mësuesi janë konsideruar si të papërshtatshme.
I shqetësuar nga sjellja e mësuesit, Agim Kita, babai i 11-vjeçares, tha se me t’u lajmëruar nga vajza për largimin e saj nga klasa, ka paraqitur ankesë në shkollë kundër mësuesit Hajredinaj.
Kita beson se veprimi i mësuesit është i shtyrë nga bindjet fetare të tij.
“Ka ndodhë me vajzën time, e cila ka qenë e veshur me një bluzë me flamurin kombëtar dhe ka pasur një plis të vendosun në kokë për shkak se sot e kanë edhe festën dhe kanë pas program. Më ka telefonu vajza në momentin që e kam lanë të shkolla dhe më ka tregu që babi arsimtari i gjuhës angleze më ka largu nga klasa, nga ora, për arsye që ka pasur të vendosur plisin dhe bluzën me flamurin kombëtar”, ka deklaruar babai i 11-vjeçares.
Për këtë rast janë në dijeni edhe drejtuesit e shkollës.
Zëvendësdrejtori Berisha thotë se ankesa ndaj mësuesit M.H janë pranuar edhe më parë për probleme të natyrës së ngjashme.
“Në realityet në të kaluarën, profesori në fjalë ka pas ankesa nga nxënësit, prindërit për çasjet e tyre dhe aspektin e tij fetar, do të thotë në pjesë të orë të caktume ka fol për fe, e jo për lëndën që e ligjëron. Nxënësit tregojnë që pas largimit nga klasa, ai në shenjë revolte e ka hudh plisin dhe flamurin në shportën e mbeturinave”, ka deklaruar zëvendësdrejtori.
Ai tha se lëndët kundër mësuesit shkolla i ka adresuar në Ministrinë e Arsimit, të cilët ende nuk kanë nxjerrë vendim përfundimtar.
11-vjeçarja u rikthye sërish në klasë gjatë ditës së mërkurë për të vijuar mësimin.
Kjo megjithatë ndodhi vetëm pas insistimit të zëvendësdrejtorit, i cili u informua nga prindi i saj për ngjarjen.