“Meta” detyrohet të paguajë 375 milionë dollarë për dështim në “sigurinë e fëmijëve”

“Meta” detyrohet të paguajë 375 milionë dollarë për dështim në “sigurinë e fëmijëve”

Një gjykatë në New Mexico ka urdhëruar gjigantin teknologjik “Meta” që të paguajë 375 milionë dollarë për mashtrim të përdorueseve në lidhje me sigurinë e platformave të saj për fëmijë.

Një juri ka vendosur që “Meta” – pronarja e Facebookut, Instagramit e WhatsAppit – është përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikojnë fëmijët dhe i ekspozojnë ndaj përmbajtjeve eksplicite seksuale dhe për lejimin që të kontaktohen me abuzues të mundshëm seksualë.

Prokurori i përgjithshëm i New Mexicos, Raul Torrez, ka thënë se vendimi është “histoprik” dhe shënon herën e parë që një shtet ka paditur me sukses “Metan” për çështje të sigurisë së fëmijëve.

Një zëdhënëse e “Metas” ka thënë se kompania nuk pajtohet me vendimin dhe se do ta apelojë.

“Ne punojmë shumë që t’i mbajmë njerëzit të sigurt në platformat tona dhe jemi në njohuri të sfidave për identifikimin dhe largimin e aktorëve të këqij dhe përmbajtjeve të dëmshme. Jemi të bindur se i mbrojmë adoleshentët online”, ka thënë ajo.

Sipas Gjykatës, “Meta” ka shkelur Aktin e Praktikave të Padrejta të New Mexicos.

Gjykimi zgjati shtatë javë. Aty u paraqitën dëshmi të ish-punonjësve të “Metas” se si kompania ishte në njohuri se abuzues të fëmijëve përdorin platformat e saj.

Arturo Bejar, ish-udhëheqës i “Metas”, që u largua nga kompania në vitin 2021 dhe u bë sinjalizues, dëshmoi për eksperimente të ndryshme që i ka kryer në Instagram, e që rezultuan se përdoruesve të mitur u ofrohej përmbajtje eksplicite. Madje ai ka thënë se kjo i ka ndodhur edhe vajzës së tij.

Sipas dokumenteve që pati përdorur Prokuroria, një hulumtim i brendshëm i “Metas” pati treguar se 16 për qind e të gjithë përdoruesve të Instagramit kanë raportuar se u shfaqet përmbajtje e padashur ose aktivitet seksual brenda javës.

“Meta” pati thënë se ka punuar për vite të tëra që ta luftojë këtë problem te përdoruesit dhe se ofron siguri për të rinjtë.

Penalltia totale është 375 milionë dollarë. Kompania duhet t’i paguajë mijëra përdorues për shkelje të të drejtave. Maksimumi për pagesë për një person është 5000 dollarë.

Ka mijëra padi të ngjashme ndaj “Metas” edhe në gjykatat në Amerikë.

Related Articles