Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta është takuar me përfaqësues të lartë të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE në prag të zgjedhjeve.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Meta njofton se fokusi i këtij takimi ishin zgjedhjet e 25 prillit, duke garantuar paprekshmërinë e votës së lirë të qytetarë, ndërsa vlerësoi mbështetjen e OSBE-së, duke premtuar bashkëpunim të vazhdueshëm gjatë procesit zgjedhor.
“Zhvillova një takim të frytshëm dhe të hapur me përfaqësues të lartë të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, Zëvendëspresidentin, Azay Guliyev dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella. Vlerësova përpjekjet e sinqerta dhe ndër vite të Asamblesë Parlamentare të OSBE në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe veçanërisht angazhimin e tyre për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht vështirësive të pandemisë.
Meta më tej ka shtuar se në takim janq diskutuar edhe zgjedhjet, të cilat ka thënë se kanë një rëndësi historike për të ardhmen europiane të Shqipërisë, duke u shprehur I vendosur që si President i Republikës do të bëj çdo përpjekje për të garantuar paprekshmërinë e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilët ka shfaqur shpresën se do të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës.