Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta iu ka drejtuar shqiptarëve me një mesazh duke thënë se 25 Prilli ishte një ditë e qetë dhe tashmë është e rëndësishme dhe procesi i numërimit të mbyllet i tillë.
Meta thotë se ai ka qenë vetëm përballë institucioneve që për të ishin të kapura, që 25 Prilli të ishte një ditë pa përplasje dhe pa skena dhune. Po ashtu kreu i shtetit shton se të gjithë duhet të reflektojnë deri në Shtator, që të krijohen institucionet e tej.
“Të dashur qytetarë të Republikës, Më 25 Prill, ju e shprehët me votë vullnetin për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit.
Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi. Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik.
Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ia arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës. Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit.
Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit“, ishte mesazhi i Presidentit Metës.