Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti me ftesë të Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelensky, po qëndron në Odesa, ku po mbahet Samiti “Ukrainë – Evropa Juglindore”.
Ai në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se në këtë kohëra të vështira për paqen dhe sigurinë evropiane, ata qëndrojnë fuqishëm përkrah Ukrainës.
Njoftimi i plotë:
“Në këto kohë të vështira për paqen dhe sigurinë evropiane, qëndrojmë fuqishëm përkrah Ukrainës, që po lufton për idealet e lirisë e demokracisë.
Sot, me ftesë të Presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski, po qëndroj në Odesa, ku po organizohet Samiti “Ukrainë – Evropa Juglindore”, një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për rajonin tonë dhe gjithë kontinentin. Ky samit është një moment kyç për të riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe për të thelluar partneritetin me vendet e Evropës Juglindore në një kohë sfiduese për të gjithë ne. Maqedonia e Veriut qëndron në anën e duhur të historisë, pra në mbështetje të Ukrainës në përpjekjen e saj titanike për liri dhe demokraci”, ka shkruar Mexhiti.