Dy nga deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Floretë Zejnullahu gjatë së hënës në seancë thanë se kanë pranuar kërcënim për padi nga bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, derisa ky i fundit ka kërkuar që ato të kërkojnë falje publike.
Ndërsa, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, nuk po e konsideron si kërcënim letrën e Prindon Sadriut, drejtuar deputeteve. Miftaraj tutje thotë se e drejta për të ushtruar padi nuk hynë në kuadër të kërcënimeve.
“Dy deputetet në fjalë janë përfaqësuese të popullit që për fjalën e tyre në kuvend apo jashtë saj mund të bëhen llogaridhënëse në radhë të parë nga elektorati të cilët kanë votuar për të njëjtat ndërsa për deklarimet jashtë Kuvendit, në raport me personat tretë të cilët mund të ndihen të ofenduar apo të fyer në qoftë se siç është rasti me zotëri Sadriun, në këtë drejtim unë nuk e kisha parë një kërkesë dhe ajo e parë në bazë të ligjit i cili ka kërkuar që pretendimet dhe deklaratat e tyre në raport me të të tërhiqen ose të kërkojnë falje publike në bazë të pretendimeve të Sadriut pasi që njëjtat nuk kanë qenë të bazuara në fakte dhe argumente. E drejta për të paditur është e drejtë ligjore andaj në çdo rast që ndjekin rrugët ligjore unë nuk i konsideroj kërcënime”.
Ai po e konsideron këtë çështje puro ligjore, nëse të dy palët vendosin të ushtrojnë padi civile në gjykatë, derisa thekson se krejt kjo më mirë do të sqarohej pranë Gjykatës.
“Kjo është çështje puro ligjore, nëse të dy palët vendosin për të ushtruar padi civile në Gjykatë, andaj diskursi publik ndërmjet dy palëve më së miri do të ishte të sqarohej në Gjykatë dhe në bazë të fakteve Gjykata do të vendos se cila palë ka pasur të drejtë. Unë besoj që zyrtarët e lartë publik në momentin kur pranojnë të marrin përgjegjësi duhet ta kuptojnë që do të jenë subjekt i deklaratave i reagimeve dhe në asnjë rrethanë e drejta për të ushtruar padi nuk mund të hi në kuadër të kërcënimit”.
E se a është bërë kjo kërkesë e Sadriut në emër të presidentes Vjosa Osmani, Miftaraj thotë së padia civile është individuale.
“Është e vërtet që Sadriu është bashkëshorti i presidentes së Kosovës, por padia civile është padi individuale në emër të tij, dhe politikisht është normalë që deputetet ta shfrytëzojnë këtë por çka është e rëndësishme se në Gjykatë janë provat dhe fakte dhe argumentet”.