Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër ndaj paraqitjes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se kanë humbur lidhjen me realitetin ekonomik të qytetarëve që i kanë votuar.
Në një postim në rrjete sociale, Miftaraj shkruan se Kuvendi i Kosovës ngjan më shumë me një sfilatë mode sesa me një institucion përfaqësues të popullit.
“Deputetët e LVV i kanë ra shkelm fukarallakut. Secili/a të veshur me garderobë firmato. Kuvendi i Kosovës më shumë po duket si sfilatë mode ku parakalojnë deputetë që të japin përshtypje se po reklamojnë marka të veshjeve të tyre, duke harruar se aty përfaqësojnë qytetarët që i kanë votuar,” shkruan ai.
Miftaraj gjithashtu thekson se deputetët nuk po flasin më për çështjet jetike që prekin qytetarët e zakonshëm, si rritja e çmimeve të energjisë elektrike, bukës, qumështit dhe kostoja e jetesës në përgjithësi.
“Deputetët e VV-së më nuk po flasin për qytetarin e vjedhur, qytetarin e varfër… Sigurisht, kur jeton i pasur nga buxheti i popullit, nuk ia din dhe nuk kupton hallet e popullit,” përfundon Miftaraj.