Milani ka mbetur pa njërin prej mesfushorëve më të mirë në vitet e fundit, Franck Kessie.
Mesfushori afrikan ka qenë ndër më të mirët te Rossonerët vitet e fundit, teksa u largua nga klubi si futbollist i lirë pasi fitoi titullin e kampionit.
Largimi i Kessiet ka lënë një boshllëk të madh në mesfushë dhe Paolo Maldini po kërkon transferimin e një mesfushori për ta zëvendësuar afrikanin.
Braziliani Douglas Luiz që ka shkëlqyer viteve të fundit në Angli me fanellën e Aston Villës po pëlqehet nga Milani.
Rossonerët tanimë kanë kontaktuar Aston Villën për mesfushorin, kontrata e të cilit skadon në verën e vitit 2023 dhe ai nuk e ka ndërmend ta rinovojë atë, pasi po kërkon transferimin tek një klub më i madh.
Villa janë gati ta shesin yllin e mesfushës, por për ta lënë të lirë po kërkojnë të fitojnë rreth 20 milionë euro, shumë që po konsiderohet e lartë nga Milani marrë parasysh se braziliani ka vetëm edhe një vit kontratë.
Gjithsesi bisedimet mes palëve do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme, derisa Luiz është duke u kërkuar edhe nga Roma.