Milani ka arritur të marrë fitoren e parë këtë sezon në Serie A duke e mposhtur në shtëpi Venecian me rezultat të thellë 4-0 në kuadër të javës së katërt.
Vendasit arritën që të kalojnë në epërsi që në minutën e dytë pas një aksioni fantastik nga Rafael Leao i cili asistoi tek Theo Hernandez që realizoi një gol të bukur për 1-0.
‘Rossonerët’ e shënuan edhe golin e dytë në minutën e 16-të kur Christian Pulisic me krosimin e tij e gjeti Matteo Gabbian që shënoi për 2-0.
Të besuarit e Paulo Fonsecas nuk u ndalën më kaq dhe shënuan sërish, kësaj radhe me Pulisic në rolin e golashënuesit i cili nga pika e bardhë nuk gaboi për 3-0.
Pikërisht nga penalltia Milani e gjeti edhe golin e katërt por kësaj radhe atë e ekzekutoi Tammy Abraham i cili me qetësi e mposhti portierin mysafir (4-0).
Në pjesën e dytë mysafirët arritën që ta gjejnë golin por ai u anulua më pas nga VAR-i për goditje të dënimit gjatë ndërtimit të aksionit.
Kjo ishe fitorja e parë për Milanin këtë sezon në Serie A pasi paraprakisht nuk kishin arritur të marrin tri pikë në takimet ndaj Torinos, Parmës dhe Lazios.