Ministra e deputetë serbë mbrojnë edhe në Kuvend muralin e kriminelit Mladiq

Ministra e deputetë serbë mbrojnë edhe në Kuvend muralin e kriminelit Mladiq

Deputeti i SDA-së nga Sanxhaku, Enis Imamoviq, ka ngritur në Kuvendin e Serbisë, çështjen e muralit të kriminelit Ratko Mladiq, që tash e sa muaj zë një pjesë të një godine në qendër të Beogradit.

Ai ka pyetur në Kuvend se kush nga politikanët po i mbron huliganët që po i bëjnë roje muralit tash e sa ditë për të mos u shlyrë.

Ai ka shtruar edhe pyetje për prokurorinë e Serbisë, nëse Ratko Mladiq, i dënuar për krime lufte e gjenocid nga Tribunali i Hagës, është hero apo kriminel, raporton b92, përcjellë Gazeta “Enigma”.

E gjithë ky shqetësim i tij, por edhe i shoqërisë liberale serbe dhe i Perëndimit, është përkthyer si sulm ndaj Serbisë.

Ndaj fjalimit të tij ka reaguar deputeti i partisë së Ivica Daçiqit, SPS, Gjorgje Miliçeviq si dhe ministri Brendshëm, Aleksandar Vulin. Ky i fundit, madje e ka ftuar Imamoviqin të kërkojë falje për “fyerjen” që i ka bërë Serbisë, ndërkohë ka thënë se “është i njëjtë si ata të Këshillit Evropian që reaguan për muralin”.

Ditëve të fundit ka pasur përpjekje për ta shlyer këtë mural nga shoqëria civile dhe politikanë liberalë. Një prej tyre, Gjorgjo Zhujoviq, ka ikur nga Beogradi pas kërcënimeve me jetë, pasi mbi mural ka hedhur një kovë me ngjyrë. Po ashtu, është kërcënuar me jetë edhe aktori e politikani Sergej Trifunoviq, i cili ka kritikuar ata që po e mbrojnë muralin.

Mediat e pavarura kanë shkruar se muralin po e mbron policia civile, por kjo është mohuar nga institucionet e Serbisë.

Mladiq është gjetur fajtor nga Tribunali i Hagës dhe është dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte në Bosnjë dhe gjenocidin e Srebrenicës më 1995, kur u vranë mbi 8.000 burra e djem myslimanë të paarmatosur. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles