Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, ka reaguar ndaj padisë që bënë disa OJQ, rreth lejes mjedisore të “Kelkos”.
Aliu tha se rasti ka të bëjë rreth një Hidrocentrali i cili ishte ndërtuar në vitet e 50-ta, në Lumbardh të Deçanit.
Ai sqaroi pretendimet e tri OJQ-ve, se MMPHI-ja e ka pajisur fshehurazi “Kelkos-in”, me leje.
“Së pari, pretendimet që unë si Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lejoj dhënie të leje fshehurazi janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Qoftë procesi i lejeve, takimi me palët apo çfarëdo procesi tjetër është publik dhe i dokumentuar”.
“Për rastin konkret ne në Ministri kemi pasur takime me kompaninë “Kelkos”. Takimi ka qenë takim zyrtar, me të pranishëm zyrtarët përkatës të Ministrisë, brenda normave protokollare duke pritur kompaninë “Kelkos” si palë që kërkonin vëmendje rreth dy hidrocentraleve që nuk janë pajisur me leje mjedisore, e për të cilat së fundi kompania në fjalë ka dërguar Kosovën në arbitrazh. Kjo është si rrjedhojë e një varg veprimesh nga Qeveritë e kaluara, temë të cilën po e trajtojnë organet e tjera dhe jemi duke e trajtuar edhe ne brenda Ministrisë”.
“Së dyti, pretendimi se kompania ‘Kelkos” vepron lirshëm dhe është “partnere” e imja janë po ashtu akuza të pavërteta motivi i vetëm i të cilave është krijimi i përshtypjes së rrejshme për rrjedhën e këtij procesi. E vërteta është se veprimi ose jo i kësaj Kompanie, pra “Kelkos” i përket gjykatës për të cilën po ashtu si Lëvizje VETËVENDOSJE!, edhe si deputet asokohe së bashku me Qendrën tonë në Deçan kemi ushtruar Padi”.
“Së treti, dua të njoftojë të gjithë qytetarët se këtu nuk bëhet fjalë për leje për ndonjë Hidrocentral të ri, por një leje të lëshuar në vitin 2022 për Hidrocentralin “Lumbardhi 1”, i ndërtuar në vitet e paraluftës, kur as ne e as kompania Kelkos nuk kemi qenë prezent”, theksoi ministri Aliu