Ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, ka udhëtuar për në Kosovë për të shënuar fillimin e rindërtimit të burgut të Gjilanit, i cili do të mund t’i presë të dënuarit me dëbim nga Danimarka.
Sic raporton gazeta daneze “Altinget”, teksa iu kanë referuar një komunikate të lëshuar nga ministria, thuhet se ministri danez do të takohet me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Tutje, thuhet se burgu do t’i strehojë deri në 300 të burgosur të dënuar me dëbim.
“Duhet të bëjmë çfarë mundemi për të siguruar më shumë vende në burg dhe për ta lehtësuar sistemin tonë të rënduar të burgjeve. Njëkohësisht po ua dërgojmë një sinjal të qartë kriminelëve të huaj se e ardhmja e tyre nuk është në Danimarkë”, thuhet në komunikatën e ministrisë daneze.
Në fund të vitit 2021, ministri i atëhershëm danez i Drejtësisë Nick Hækkerup nënshkroi një deklaratë politike me Qeverinë e Kosovës për ta shfrytëzuar Kosovën si vend ku Danimarka mund t’i dërgonte të burgosurit e huaj.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë në Danimarkë, rindërtimi i burgut të Gjilanit do të thotë që qelitë të rinovohen, të ndërtohen dhomat e vizitave dhe të krijohet një departament i ri punësimi.
Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar në maj marrëveshjen për t’ia lëshuar me qira Danimarkës një burg në Gjilan.