Bashkimit Europian mund t’i duhet që të përgatitet për luftë deri në fund të kësaj dekade. Ky është paralajmërimi që ka bërë Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Në një intervistë të botuar në gazetën gjermane Welt am Sonntag, ministri shpreh parashikimet e tij se kërcënimet e bëra nga Rusia mund të përshkallëzohen.
Për pasojë, Pistorius theksoi nevojën urgjente që vendet e Bashkimit Evropian të forcojnë industritë e tyre të mbrojtjes në mënyrë që të jenë të përgatitur për sfidat e mundshme.
Pistorius nënvizoi se kërcënimet e presidentit rus, Vladimir Putin, kundër shteteve baltike, Gjeorgjisë dhe Moldavisë duhet të merren shumë seriozisht.
“Nuk është shaka. Mund të përballemi me rreziqe, deri në fund të kësaj dekade”.
Me zhvillimin e peizazhit gjeopolitik, Pistorius u bëri thirrje vendeve evropiane që të përshtaten me shpejtësi.
Ai u bëri thirrje shteteve të Unionit që ta vendosin fokusin në drejtim të forcave të armatosura, industrisë dhe shoqërisë, dhe kjo sipas tij duhet bërë në një dritare kohe prej pesë deri në tetë vitesh.