Pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pasi u qëllua me armë brenda sallës së gjyqit, ka reaguar ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Ai e ka cilësuar këtë akt si një sulm ndaj gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare, duke kërkuar ndëshkimin më të ashpër për autorin e krimit.
“Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë, e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim”, ka deklaruar Lamallari.
Ministri ka theksuar se vrasja e gjyqtarit në krye të detyrës përbën një goditje të rëndë për sistemin e drejtësisë, por nuk do të lejohet të minojë besimin e publikut te shteti ligjor.
“Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, ka shtuar ai.
Lamallari ka paralajmëruar se kjo ngjarje e rëndë nënvizon nevojën për rishikimin e sistemit të sigurisë në gjykata dhe për ashpërsimin e dënimeve për armëmbajtje pa leje.
“Paralelisht me nevojën e rishikimit të sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot”, ka theksuar ministri.
Duke i dërguar një mesazh të qartë autorëve të krimeve ndaj përfaqësuesve të drejtësisë, Lamallari ka thënë se shteti do të reagojë me forcë dhe vendosmëri.
“Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë”, ka theksuar ai.
Në fund të reagimit, ministri Lamallari ka shprehur ngushëllime për familjen e gjyqtarit të ndjerë dhe ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.
“Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal. U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja”, ka përfunduar ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë, gjatë një seance gjyqësore, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga një person i pakënaqur me vendimin gjyqësor. Nga të shtënat u plagosën edhe dy persona, babë e bir, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autori i ngjarjes është arrestuar në vendngjarje, ka pranuar fajësinë dhe gjatë dëshmisë së tij nuk ka shfaqur pendesë, duke deklaruar se ishte “i detyruar të kryente aktin sepse po humbiste gjyqin”.